Shqiptarët përballë propagandave të vendeve fqinje (në fillim të shek. XX)

Autori

  • Fehari Ramadani

Parole chiave:

Propaganda kishtare,, shkollat, Serbia, Greqia, Bullgaria, shqiptarët ortodoksë,, asimilimi

Abstract

 

Lindja dhe zhvillimi i lëvizjeve nacionaliste në Evropën e shek. XIX, shpejt u përhap edhe në Gadishullin Ballkanik, ku evoluoi në përgatitjen dhe zhvillimin e revolucioneve kombëtare. Për rrjedhojë, shumica e popujve të kësaj pjese të Evropës Juglindore u çliruan nga sundimi osman dhe krijuan shtetet e tyre kombëtare. Menjëherë pas pavarësimit, shtetet ballkanike i vunë vetes për detyrë t’i zgjeronin kufijtë e tyre me territore të banuara nga popullsi të huaj. Për realizimin e këtij qëllimi, krahas metodave të tjera, ato e përdorën gjerësisht edhe propagandën. Shkolla dhe kisha ishin dy institucionet kryesore të cilat përçonin propagandën e këtyre shteteve në territoret e pretenduara. Secili nga shtetet ballkanike bëri përpjekje për të përvetësuar sa më shumë ortodoksë, përfshirë edhe shqiptarët e këtij besimi. Veprimtaria e qeverive ballkanike në territoret shqiptare u favorizua edhe nga politika e Perandorisë Osmane, e cila as në fillim të shek. XX nuk e njohu konceptin e kombit. Shqiptarët e ndarë në disa besime identifikoheshin sipas përkatësisë fetare. Kjo u mundësoi shteteve fqinje të zhvillonin propagandë të ngjeshur në territoret e banuara nga popullsia shqiptare ortodokse, me qëllimin për t’i përvetësuar ata.

Që nga vitet e fundit të shek. XIX dhe në fillim të atij XX, qeveritë e shteteve ballkanike, zhvilluan rivalitet të ashpër midis tyre për të hapur shkolla dhe për të kontrolluar kishat në territoret që pretendonin t’i aneksonin pas largimit të sundimit osman nga Ballkani. Ato hapën shkolla, të cilat u bënë çerdhe të propagandës, edhe në vendbanimet, në të cilat nuk kishte pjesëtarë të komunitetit të tyre etnik. E gjithë kjo bëhej me qëllim që të ndihmonte në procesin e asimilimit të popullsisë vendëse.

Pavarësisht përkatësisë etnike, gjuhës së folur dhe të kaluarës historike dhe varësisht kishës me të cilët lidheshin banorët e një vendbanimi të caktuar, ata menjëherë identifikoheshin si të tillë (serbë, bullgarë ose grekë). Në shumë raste përdorej dhuna për t’i shkëputur besimtarët nga varësia e njërës kishë dhe për t’i lidhur me tjetrën, pasi përkatësia kishtare ishte e mjaftueshme për të përcaktuar sipas tyre edhe identitetin etnik. Nën ndikimin e kishës dhe të shkollës, një pjesë e shqiptarëve ortodoksë e humbën identitetin e tyre kombëtar dhe u asimiluan në serbë, grekë ose bullgarë.

Downloads

I dati di download non sono ancora disponibili.

Pubblicato

2025-05-26

Come citare

Ramadani, F. (2025). Shqiptarët përballë propagandave të vendeve fqinje (në fillim të shek. XX). Instituti I Historisë "Ali Hadri" Kosovë, (1), 149–174. Recuperato da https://konferenca.al/ih-rks/article/view/13