Qëndrimi i Austro-Hungarisë ndaj shqiptarëve në vjeshtën e vitit 1912: themeli i platformës të paraqitur prej saj në Londër
Mots-clés :
Austro-Hungaria, Porta e Lartë, lufta ballkanike, Vjena, Austro-Hungaria, Porta e Lartë, lufta ballkanike, VjenaRésumé
Qëndrimi i Austro-Hungarisë për çështjen shqiptare, në dekadat e fundit të sundimit osman është i njohur. I lidhur me vlerësimet gjeostrategjike për rajonin qendror e perëndimor të Ballkanit, ky qëndrim i Vjenës ka konsistuar në ruajtjen e status quo-së në rajon dhe prandaj në mosaprovimin e kryengritjeve shqiptare antiosmane, nga njëra anë, por, nga ana tjetër, në mbrojtjen e viseve shqiptare dhe nxitjen e emancipimit dhe arsimimit kombëtar të shqiptarëve përballë ekspansionit të gjithanshëm sllav. Në këtë kuadër Perandoria Dualiste ndërhynte vazhdimisht pranë Portës së Lartë që ajo të modelonte politikat e administrimit të viseve shqiptare, gjithashtu mbante nën presion fqinjët agresivë të shqiptarëve të njohur si aleatë të Rusisë, tregtonte me viset shqiptare e investonte në to më shumë se çdo Fuqi tjetër e Madhe. Njëherësh, Vjena, nxiste botimet në gjuhën shqipe dhe madje sponsorizonte intelektualë, arsimtarë e klerikë shqiptarë, për të çuar përpara zhvillimin e arsimit dhe të kulturës kombëtare shqiptare. Politikës së Austro-Hungarisë duhet t’i njihet merita që në trevat shqiptare e, natyrisht, në radhët e elitës politike shqiptare, të maturohej, të forcohej e të kualifikohej në politikë rryma kombëtare dhe të mbizotëronte pikëpamja për të punuar në perspektivë për autonominë e Shqipërisë. Me shpërthimin e luftës ballkanike (8 tetor e filloi Mali i Zi, 17 tetor hyri Serbia, Bullgaria e më 18 tetor Greqia) dhe shpartallimin e shpejtë të trupave osmane, Ballplatzi u detyrua të nxitojë në mbrojtje të interesave të veta në rajon, e natyrisht veproi edhe në të mirë të shqiptarëve. Austro-Hungaria, fuqishëm, i bëri të qartë Serbisë se nuk do të pranohej pushtimi prej saj i bregdetit shqiptar, se nuk do t’i lejohej as ndonjë rrip toke deri në det e as 64 | QËNDRIMI I AUSTRO-HUNGARISË PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE...
ndonjë port në Adriatik, duke kërcënuar se do të luftonte, qoftë edhe përballë Rusisë, duke tërhequr pas vetes edhe Gjermaninë e Italinë. Në saje të kësaj politike të fortë të qeverisë austro-hungareze, shqiptarët patën pranë dorën e një shteti të madh, që do t’i ndihmonte të shkonin drejt Shpalljes së Pavarësisë dhe të njohjes ndërkombëtare. Konti Berchtold kishte këmbëngulur qysh në tetor, e veçanërisht në nëntor të vitit 1912, se do të duhej të pranohej ekzistenca e një shteti shqiptar dhe se nuk do të lejohej dalja e Serbisë në Adriatik përmes tokave shqiptare dhe negociata pranonte vetëm për çështjen e kufijve. Varianti i Austro-Hungarisë për kufijtë e Shqipërisë, i paraqitur edhe grafikisht më 20 dhjetor 1912 në Konferencë, ishte më i favorshmi për shqiptarët. Koniunkturat apo fati i kishte siguruar shqiptarëve një aleat të fuqishëm dhe, kështu, edhe mundësinë për të mbijetuar.
