Çështja e përcaktimit të kufirit verilindor të Shqipërisë sipas raporteve të konsujve austro-hungarezë
Mots-clés :
Shqipëria, Austro-Hungaria, Komisioni Ndërkombëtar, kufijtë, konsujtRésumé
Ndonëse u shkëput nga Perandoria Osmane më 1912, Shqipëria ende e kishte të pazgjidhur çështjen e përcaktimit të kufirit verilindor dhe atij jugor. Në këto rrethana, problemet me vendet fqinje në vitet pasuese ishin evidente, prandaj ishte e nevojshme mbikëqyrja ndërkombëtare. Fuqitë e Mëdha ishin të përfshira intensivisht në zgjidhjen e përcaktimit të kufijve të Shqipërisë, jo vetëm në mbledhjet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, por edhe nëpërmjet komisionit ndërkombëtar të kufijve, i cili po ashtu kishte marrë mandatin nga këto vende. Nga të gjitha fuqitë e kohës, Austro-Hungaria ishte më e përfshira në këtë çështje, për faktet tashmë të njohura. Si rezultat, kori diplomatik i akredituar në qytetet shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë politike dhe qendrat e tjera, gjatë viteve 1913 dhe 1914 në baza ditore ka mbajtur të informuar Vjenën zyrtare për gjithë ecurinë e punës së komisionit ndërkombëtar rreth zgjidhjes së çështjes së përcaktimit të kufirit verilindor të Shqipërisë. Prandaj, në raportet e tyre, pashmangshëm kjo çështje ishte ndër temat më të shtjelluara, ngase qëllimi i konsujve ishte informimi i Ministrisë së Jashtme në Vjenë në kohë reale dhe sa më i saktë. Edhe Leopold Berhtold-i, dhe në përgjithësi Ministria e Jashtme ishte e angazhuar në zgjidhjen e çështjes së demarkimit të kufirit verilindor të Shqipërisë. Prandaj, konsujve austro-hungarezë në qendrat shqiptare dhe në kryeqendrat evropiane u jepte instruksione për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Në raportet e shkëmbyera ndërmjet konsujve austro-hungarezë me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë dhe anasjelltas, pasqyrohen në detaje të gjitha etapat e punës së Komisionit Ndërkombëtar të Kufirit, duke filluar me emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të këtij komisioni, punën e kryer dhe vështirësitë që kanë hasur në terren, etj. Nëpërmjet trajtimit të këtyre raporteve është pasqyruar qëndrimi i diplomacisë austro-hungareze në lidhje me demarkimin e kufijve të Shqipërisë, në veçanti të atij verilindor.
