Politika e Millosheviqit ndaj Kosovës në vitet e '90-ta – Bumerang asgjësues për regjimin e tij
Keywords:
Kosova, lufta çlirimtare, Mbretëria Jugosllave, Lufta e Dytë Botërore,, Fuqitë e MëdhaAbstract
Pothuajse një shekull pas copëtimit, shkëputjes arbitrare nga Shqipëria e pavarur dhe okupimit me dhunë e përfshirjes në disa formacione shtetërore sllave (në Serbi e Mal të Zi më 1913-1915, në shtetin serbo-kroato-slloven, apo Mbretërinë Jugosllave midis dy luftërave botërore, në Federatën Socialiste Jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore dhe në Federatën Serbi-Mali i Zi në vitet e ‘90-ta), Kosova me përpjekje të vazhdueshme e të jashtëzakonshme arriti të fitojë përkrahjen e faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e drejtë të çështjes së saj dhe, më 17 shkurt 2008 shpalli Pavarësinë. Dora-dorës vijoi njohja e saj si shtet i pavarur nga SHBA-ja, nga shumica e vendeve të BE-së dhe nga shumë shtete të tjera të botës (rreth 115 shtete e kanë njohur deri tani). Etapa e fundit e insistimit për t’u shkëputur nga sundimi i Serbisë zë fill pikërisht me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës të 2 korrikut 1990 dhe me miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit të po atij viti. Përpjekjet që pasuan, kulmi i të cilave u arrit me largimin e ushtrisë pushtuese serbe nga Kosova, përmes luftës çlirimtare të viteve 1998-1999 dhe ndërhyrjes së NATO-s, si edhe me shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës në vitin 2008, kurorëzuan kështu aktet e mëdha të ndërmarra nga elita politike patriote e Kosovës në fund të viteve të ‘80-ta, të cilat i përgjigjeshin aspiratave të kahershme dhe nevojave jetike të popullit shqiptar të kësaj treve.
