Polisemantika e shprehjes së figurshme të Arapit në krijimtarinë e tij poetike të viteve ’80

##plugins.themes.academic_pro.article.main##

Luljeta Bora-Bejleri

Abstrakti

Poezia e Arapit mbeti poezia e kërkimit të përhershëm, larg skematizmit, gjithmonë drejt spontanitetit, duke u përfaqësuar si një nga krijimtaritë e pakta thellësisht origjinale të viteve ’80. Ajo u përpoq vazhdimisht t’i largohet frymës kolektive të optimizmit. I kritikuar në vitin 1973 për vëllimin poetik “Më jepni një emër”, F. Arapi ra në heshtje për një farë kohe. Duke lënë mënjanë ribotimin e poezive të së kaluarës (1983) dhe debutimin herë pas here në organet letrare, poezia e viteve ’80 e tij, kulmoi me vëllimet “Duke dalë prej ëndrrës” (1989) dhe “Ku shkoni ju statuja” (1990). Këto dy vëllime, botuar njëri pas tjetrit, erdhën si projektim filozofik i unit lirik.
E gjithë poezia e Arapit përshkohet nga raporte mes abstraktes e konkretes, nga një frymë filozofie e intelektualiste, jo fort e thjeshtë për lexuesin e këtyre viteve. Me gjithë ndonjë refleksion ideologjik për të mbrojtur poezinë dhe të drejtën e botimit, apo autocensurës si pasojë e kritikave të forta, poezia e Arapit mbeti po në të njëjtën linjë heronjsh e shtatoresh, ullinjsh të heshtur si murgj, perëndi, gjak dhe verë të cilët përcjellin frymë shenjtërie. Ëndrra e tij surrealiste, veç si ëndërr e dashurisë, erdhi si alegori e përsosjes morale, rendje drejt shpirtit të tejdukshëm, si drejt heroit moral të njerëzimit. Leximi mes pjesëve të shkëputura, apo mes elementeve që pasqyrojnë angazhimin, nuk do t’ia ulte vlerën e përgjithshme poezisë, ashtu sikur s’do të mundë të fshihte humanizmin e besimin në projektimin e një botë më të mirë njerëzore.
Ka shkrimtarë që do të admirohen gjithmonë, por ka edhe nga ata të cilët i ndjek harresa, por mes një poezie që i mbijetoi kohërave, Arapi, ashtu sikurse Agolli e Kadare, do të mbetet flaka e vjetër e një zjarri që nuk u shua dot.

##plugins.themes.academic_pro.article.details##

How to Cite
[1]
Bora-Bejleri, L. 1970. Polisemantika e shprehjes së figurshme të Arapit në krijimtarinë e tij poetike të viteve ’80. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. (Jan. 1970), 83–92.