Radio “Zëri i Kumanovës” (1993-1998), një zë i fuqishëm i lirisë së Kosovës
Fjalët Kyçe:
Medie, terr informativ, radio, Zëri i Kumanovës, Kosova e Lirë, UÇKAbstrakti
Në fillim të viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar, derisa bota e qytetëruar gjithnjë e më tepër po hapej dhe demokratizohej, Serbia hegjemoniste e shtoi dhunën dhe terrorin ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ndër aksionet e para të pushtuesit që po vepronte në panik, ishte tentimi për censurimin dhe ngushtimin e hapësirave informative në gjuhën shqipe, që kulmoi me mbylljen e dhunshme të Radiotelevizionit të Prishtinës dhe ndalimin e botimit të gazetës “Rilindja” (1990). Në rrethana të tilla, terri informativ i Kosovës duhej thyer nga mediet valët e të cilave depërtonin nga Shqipëria e Maqedonia, si dhe mediet ndërkombëtare që emitonin program në gjuhën shqipe. Në vitin 1993, në qytetin e Kumanovës, që ishte jo fort larg kufirit të Kosovës, u themelua radio “Zëri i Kumanovës” (1993-1998), me pronar kantautorin dhe aktivistin Ismet Bexheti. Me kalimin e kohës, kjo medie u fuqizua edhe me teknikën televizive, por që valët televizive nuk depërtonin jashtë vendit sikurse ato të radios. Shumë shpejt, rreth kësaj medie lokale u mblodhën emra të njohur të gazetarisë shqiptare, jo vetëm se nga rajoni i Kumanovës, por edhe nga Presheva, Gjilani, Vitia e Prishtina, ku depërtonin valët e saj. Nëpër qytetet e lartpërmendura ishin krijuar pika të korrespondentëve, kryesisht nga gazetarë të dëbuar nga “Rilindja” dhe RTP-ja. Kështu, fokusi kryesor i RTV “Zërit të Kumanovës” u bë Kosova dhe lufta e saj për liri e pavarësi. Më shumë se gjysma e përmbajtjeve të edicioneve informative i kushtohej Kosovës dhe fatit të saj. Në këtë mënyrë, kjo
medie u bë një nga zëdhënëset e kauzës së drejtë të shqiptarëve për çlirim nga Serbia. Me intensifikimin e mobilizimit ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas daljes së saj publike më 28 nëntor të vitit 1997, e gjithë skema e saj programore iu përshtat rrethanave të reja luftarake. Dhe, kulmin e arriti në verën e vitit 1998, kur e ndali emetimin e programit nga Kumanova dhe komplet radioteknika e saj udhëtoi drejt maleve të Kosovës, prej së cilës lindi radio “Kosova e Lirë”. Kështu, Kosova dhe lufta e saj e drejtë çlirimtare fitoi një armë të fuqishme mediatike, e cila u bë zëdhënëse e lirisë dhe pavarësisë.
