Roli i Adem Demaçit në Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve 1990–1991 në Kosovë
Fjalët Kyçe:
Kosovë, Adem Demaçi, pajtim, burgim, ish të burgosur politikë, liri, çlirimAbstrakti
Më 29 janar 1990 ish të burgosurit politikë, studentë të Universitetit të Prishtinës, Have Shala, Myrvete Dreshaj, Adem Grabovci, Brahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj morën vendimin për të filluar aksionin për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave në Kosovë. Pas pajtimit të parë, të arritur më 10 shkurt 1990 ndërmjet Fazli dhe Idriz Buçollit të fshatit Raushiq të Pejës, atyre iu bashkëngjitën edhe Zoge Shala, së bashku me Akile Dedincën nga fshati Vragoli i Fushë-Kosovës, që të dyja ish të burgosura politikisht. Kështu, numri i vajzave, ish të burgosura politike, në raport me numrin e djemve, në këtë grup tani ishte katër me tre, në favor të vajzave. Kuptohet, bëhet fjalë për një periudhë të caktuar, ngaqë Akile Dedinca kthehet pas një kohe për ta përhapur Pajtimin e Gjaqeve edhe në vendbanimin e saj, ndërsa në grup kyçet Ethem Çeku, po ashtu ish i burgosur politik. Që nga kjo kohë grupi i të rinjve të Pejës do të ketë raport konstant, tri ish të burgosura politike: Have Shala, Myrvete Dreshaj dhe Zoge Shala, si dhe katër ish të burgosur politikë: Adem Grabovci, Brahim Dreshaj, Ethem Çeku dhe Lulëzim Etemaj. Ndërkaq barazimin në numër të të rejave e arrin Luljeta Grabovci, studente, e cila i bashkëngjitet atij grupi që nga dita e parë, për të mos u ndalur deri në përfundimin e veprimtarisë së Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë.
