Vështirësitë dhe pikëpamjet politiko-shoqërore të shtypit laik të Shkodrës gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore
Fjalët Kyçe:
Lufta e Parë Botërore, Shqipëria, Shkodra, shtypiAbstrakti
Ngjarjet politike që po kalonte Shqipëria në përgjithësi, dhe Shkodra në veçanti, me specifikat e tyre, thyerjet e shpeshta politike që u shoqëruan me ndërrime të njëpasnjëshme të pushtuesve, shpresat e mëdha, zhgënjimet tragjike, ngjarjet e komplikuara, me veprime diplomatike të fshehta, me rivalitete të egra për pushtime, copëtimet drastike të trojeve shqiptare, synimet për të mos njohur më pas atë shtet që vetë e njohën, në kufijtë që vetë i vendosën padrejtësisht, përjetimi dhe reagimi mbarëpopullor, të gjitha këto gjetën pasqyrim gjerësisht dhe denjësisht në shtypin laik të kohës. Kështu, në rrethanat aq të ndërlikuara dhe me pasoja tragjike për Shqipërinë e për të gjithë Ballkanin, shtypi i Shkodrës bëri shumë për të shprehur aspiratat e popullit, por edhe për të sensibilizuar opinionin publik botëror e për të ushtruar presion aq sa mundej mbi fuqitë europiane për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Në raport me qytetet e tjera të Shqipërisë, Shkodra kishte numrin më të madh të gazetave laike, që shihnin dritën e botimit gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore. Konkretisht ishin nëntë të tilla, si “Besa shqyptare”, “Taraboshi”, “Shqypnia e re”, “Atdheu”, “Populli”, “Drita e Popullit”, “Lidhja Kombëtare”, “Shkodra” dhe “Posta e Shqypnisë”. Vetëkuptohet se ato ishin një balancë mjaft e vlefshme, në një ambient ku prej vitesh vepronte shtypi fetar i të dy krahëve. Aq më tepër rëndësia e tyre rritet, për faktin se, përgjithësisht, botuesit e tyre qenë njerëz patriotë, që duke afruar pranë gazetave të veta penda të tilla, si Gj. Fishta, R. Siliqi, H. Mosi, K. Suma, M. Gramano, N. Nikaj, M. Kakarriqi etj., i bënë një shërbim të madh çështjes kombëtare. Në situatat e ndërlikuara të krizës ballkanike e të shtetit të brishtë shqiptar, kur Shkodra kalonte çaste specifike krahasuar me pjesën tjetër të atdheut, “shtypi pasqyroi prirjet themelore e mbizotëruese të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke luajtur kështu rolin e një “partie” nacionaliste”. Në faqet e këtij shtypi u shprehën jo vetëm ndjenjat, bindjet, analizat e kërkesat e elitës politike, por edhe të të gjitha masave, pak ose aspak të shkolluara. Gazetat me shkrimet e veta u munduan të ishin të pavarura dhe të trajtonin probleme nga më të ndryshmet.1 Mirëpo jo gjithmonë gazetat e këtyre viteve ia arritën këtij qëllimi. Në këtë kohë, kur njëri pushtues zëvendësonte tjetrin, secili duke ia ditur rëndësinë e madhe që ai kishte në influencën e tij në popull, u mundua me forma të ndryshme ta shfrytëzonte e ta kalonte në anën e vet.
Downloads
Downloads
Botuar
How to Cite
Konferenca
Seksioni
License
Copyright (c) 2025 Instituti i Historisë "Ali Hadri" Kosovë

This work is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial-NoDerivatives 4.0 International License.
