Tensionet mes Rusisë dhe Austro-Hungarisë për kufijtë veriorë dhe verilindorë të Shqipërisë gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër
Fjalët Kyçe:
Rusia, Austro-Hungaria, kufiri verior dhe verilindor i Shqipërisë,, Sazonov, Berchtold, E. Grey, Mensdorff, BenckendorffAbstrakti
Synimi i këtij punimi është të japë një përmbledhje krahasuese të synimeve politike, strategjisë dhe taktikave diplomatike të Rusisë dhe ato të Austro-Hungarisë për çështjen e kufijve veriorë dhe verilindorë të Shqipërisë gjatë punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Punimi trajton në mënyrë sintetike disa çështje të rëndësishme, si: projektet e paraqitura nga Austro-Hungaria dhe Rusia për kufijtë e Shqipërisë, përmbajtja dhe hartuesit e tyre; arsyet që Rusia u fokusua më tepër në kufijtë verilindorë dhe lindorë të Shqipërisë, ndërsa Austro-Hungaria në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë; shkaqet që fuqitë aleate të Austro-Hungarisë nuk e mbështetën sa duhet Monarkinë Danubiane në projektin e saj për Shqipërinë. Trajtesa jonë ndalet gjithashtu në taktikën e ndjekur nga konti Berchtold për të përdorur disa territore shqiptare si monedhë shkëmbimi gjatë negociatave me rusët. Po kështu, jepen etapat e lëshimeve që bëri diplomacia austro-hungareze përballë presionit të asaj ruse në çështjen e kufijve verilindorë dhe lindorë të Shqipërisë. Në kontekstin e përplasjeve diplomatike mes Rusisë dhe Austro-Hungarisë, do të përpiqemi që të shqyrtojmë me kujdes se cila prej diplomacive u tregua më e zhdërvjellët dhe këmbëngulëse në realizimin e synimeve politike; analizimin e çështjes nëse copëtimi i rëndë i trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913) ndodhi për shkak se Austro-Hungaria nuk bëri aq sa duhej apo se nuk mund të bënte më tepër në këtë drejtim.
