Burimet shqiptare për krimet dhe mizoritë serbe mbi shqiptarët 1913-1914
Fjalët Kyçe:
Konferenca e Londrës, Fuqitë e Mëdha, Lufta e Parë Ballkanike, Kosovë, Trevat Lindore, Krahina e Lumës, Konferenca e Londrës,, Fuqitë e Mëdha,, Lufta e Parë Ballkanike, Kosovë, Trevat Lindore, Krahina e LumësAbstrakti
Kryengritja e Shtatorit e vitit 1913, përbën ngjarjen më të rëndësishme kombëtare të zhvilluar pas shpalljes së pavarësisë dhe vendimeve arbitrare të Konferencës së Fuqive të Mëdha në Londër (1913). Duhet theksuar se kryengritja u nxit nga autoritetet ushtarake e policore serbe, të cilët pas ultimatumit të marrë nga Fuqitë e Mëdha, që trupat serbe të tërhiqen brenda kufijve të përcaktuar në Konferencën e Londrës, ata si kundërpërgjigje, shtetasve shqiptarë ua ndaluan shfrytëzimin e tregjeve në Dibër, Prizren dhe Gjakovë. Menjëherë pas sulmit të befasishëm në Dibër dhe më pas edhe në Strugë, Ohër, Prizren, Gjakovë dhe në qendra tjera, qeveria serbe vendosi të mobilizojë Divizionin e Moravës, përkatësisht, njësitë e sajë të këmbësorisë I, II, III dhe XIV. Më 29-30 shtator 1913, filloi kundërofensiva e ushtrisë dhe e çetave çetnike serbe. Në luftimet disaditore, ushtria serbe e pajisur me armatim bashkëkohor, arriti t’i thyej forcat kryengritëse fillimisht në frontin e Strugës, Ohrit e Dibrës e më pas edhe të Prizrenit e Gjakovës. Forcat ushtarake serbe pasi ripushtuan tokat shqiptare, kryen gjenocid të paparë ndonjëherë mbi popullsinë civile shqiptare në Lumë, Dibër, Strugë, Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Prizren, Suharekë, Rahovec, Ferizaj, Gjilan, Kamenicë etj. Burimet shqiptare bëjnë me dije se në të gjitha këto krahina shqiptare, ushtria pushtuese serbe, në bashkëveprim me komitët dhe çetnikët vendorë serbë e bullgarë, në pjesën e dytë të muajit tetor 1913 dhe gjatë vitit 1914, vrau, theri me thikë apo me sëpatë disa mijëra shqiptarë civilë, në mesin e tyre edhe gra, pleq e fëmijë. Përmes këtij punimi studimor, i cili mbështetet në burimet shqiptare, do të përpiqem të nxjerr në pah një pjesë të këtyre krimeve dhe mizorive që ushtria serbe i kreu në Kosovë, në Trevat Lindore dhe në krahinën e Lumës.
