Kontributi i Organizatës Humanitare El Hilal gjatë eksodit të shqiptarëve nga Kosova gjatë luftë së vitit 1998-1999
Fjalët Kyçe:
Kosova, eksodi, kampi, dëbimi, refugjatëtAbstrakti
Dëbimi i shqiptarëve me dhunë ose eksodi i shqiptarëve nga Kosova, arriti kulmin e saj pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 kundër pikave ushtarako-policore të ish-Jugosllavisë. Të dëbuarit u detyruan me dhunë që të lëshojnë vatrat e tyre dhe të shpërnguleshin në Shqipëri, Maqedoni dhe vise tjera, në mesin e të cilëve ndodheshin fëmijë, gra dhe të moshuar. Në këtë punim shkencor do ta trajtoj kontributin e Organizatës Humanitare El Hilal gjatë eksodit të shqiptarëve nga Kosova gjatë luftës së vitit 1998-1999. Organizata Humanitare El Hilal u themelua më 6 prill të vitit 1991 në Shkup. Është organizatë joqeveritare, vullnetare, e cila synimin e vet e ka humanitetin dhe solidaritetin. Humanitetin dhe solidaritetin e saj Organizata Humanitare El Hilal e filloi nga themelimi, por kontributi i saj i veçantë mund të dallohet nga pranimi, strehimi dhe kthimi i refugjatëve nga Bosnja në vitin 1992, pastaj pritja dhe strehimi i të dëbuarve me dhunë nga Kosova në vitin 1999 nëpër familjet shqiptare në Maqedoni, të dëbuarit në pikën kufitare të Bllacës, mbyllja e kufijve të Maqedonisë, qëndrimi i të dëbuarve nëpër kampe etj. Gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999 në Maqedoni numri i përgjithshëm i shqiptarëve të dëbuar arriti 379 523 persona, prej tyre 92 100 u transferuan nëpër vendet e tjera të Evropës, 154 989 persona u vendosën nëpër familjet shqiptare në Maqedoni dhe 112 434 persona u vendosën nëpër kampet speciale të ndërtuara enkas që nga eksodi kosovar. Gjithsej u ndërtuan 9 kampe.
