Roli i mediave në gjuhën shqipe në RMV gjatë kohës së eksodit në vitin 1999
Fjalët Kyçe:
Gazetat, shtypi, informim, luftë, gjenocid, shfarosje, të drejtat e njeriuAbstrakti
Në kujtesën kolektive shqiptare viti 1999 i shekullit të kaluar, do të mbahet mend si vit i golgotës shqiptare, ku miliona banorë shqiptarë të Republikës së Kosovës do të dëbohen me dhunë nga ana e ushtrisë dhe policisë serbo-sllave nga vatrat e tyre shekullore, vit ku do të zbrazet Kosova dhe do të shpërndahet dhimbja kolektive shqiptare. Ky gjenocid i paparë i popullatës civile shqiptare u bë trajtim në shumë media botërore, por edhe në shumë kancelari botërore të vendosjes. Fatmirësisht në shërbim të vëllezërve të tyre ishin edhe mediat lokale dhe nacionale të Tetovës dhe mbar Maqedonisë. Refugjatët të cilët ishin ndarë me dhunë në kufi nga policia maqedonase e asaj kohe dhe shumë familje nuk kanë mundur të gjejnë njëri-tjetrit, ishin mediat lokale në atë kohë Tv-Art, Tv-Koha, Radio Visari, Radio Fama, gazetat e përditshme Flaka dhe Fakti të cilat përmes zërit të tyre bënë bashkimin familjar të atyre që ishin nëpër kampet e improvizuara: Neproshten, Stenkovec dhe Çegran. Ato ditë të vështira për popullin shqiptar katrahura që ndodhte në vendkalimet kufitare në edicionet e lajmeve theksoheshin termet: Bllaca, Jazhinca, Tabanovci etj., ku me qindra mijëra kosovarë do të vërshojnë Maqedoninë. Për këtë flet edhe reportazhi televiziv i Tv Art-it i vitit 1999 me titullin “Ikim për t’u kthyer”
