Shtetet pjesëmarrëse në Operacionin “Forca Aleate” dhe kontributi i tyre për çlirimin e Kosovës (24 mars - 20 qershor 1999)
Fjalët Kyçe:
Kosova, NATO, shtetet, operacioni, RFJAbstrakti
Për shkak se Republika Federative e Jugosllavisë (RFJ) në krye me kryetarin Sllobodan Millosheviq nuk i kishte respektuar marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare, për shkak se i kishte shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kishin të bënin me çështjen e Kosovës, për shkak se kishte refuzuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, për shkak se me veprimet e saj po rrezikonte sigurinë e rajonit dhe, për shkak se Ushtria Jugosllave, forcat policore, speciale dhe të sigurisë po vazhdonin terrorin kundër shqiptarëve në Kosovë, atëherë NATO u detyrua të përdorte forcën ushtarake kundër RFJ-së. Të gjitha shtetet anëtare të NATO-s ishin pajtuar për fillimin e bombardimeve, por jo të gjitha shtetet kishin marrë pjesë në operacion dhe jo të gjitha shtetet pjesëmarrëse kishin dhënë kontribut të njëjtë në operacion. Pse ndodhi kështu? Kur filloi dhe kur përfundoi operacioni, cilat ishin arsyet që nuk u përfshinë në operacion të gjitha shtetet, cili ishte kontributi ushtarak i shteteve pjesëmarrëse, cilët ishin disa nga faktorët që e detyruan Millosheviqin të pranonte kushtet e NATO-s për largim nga Kosova? Këto janë disa nga çështjet që do të trajtohen në këtë kumtesë.
