Shqipëria, nga autonomia e vasaliteti prej Perandorisë Osmane tek pavarësia e shkëputja e plotë, në Konferencën e Ambasadorëve, në periudhën nga 30 maji 1913 deri më 29 korrik 1913/12 gusht 1913
Fjalët Kyçe:
Konferenca e Ambasadorëve, Austro-Hungaria, Fuqitë e Mëdha, Traktati i BerlinitAbstrakti
Punimi trajton historinë diplomatike të çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër dhe rrugën e ndjekur për përkufizimin e statusit shtetëror dhe kufijve të gjymtuar nacionalë. Konferenca u mblodh me cilësinë e “Mbledhjes së Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha nënshkruese të Traktatit të Berlinit”(1878). Çështja e kufirit të shtetit të ri shqiptar u përcaktua nën prizmin e shmangies së një ballafaqimi në mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Austro-Hungaria u gjend përballë faktit të kryer të ndryshimit të status quo-së ballkanike në dëm të saj dhe në të mirë të Serbisë, Malit të Zi, Greqisë, prapa të cilave qëndronte, në fund të fundit, Rusia. Për të kompensuar këtë, perandoria dualiste vendosi të vinte tanimë në jetë planin e kahershëm të krijimit të shtetit të Shqipërisë Autonome (më vonë të pavarur), që do të duhej të kishte kufij sa “më të mëdhenj që të ishte e mundur”. Autori shpjegon se e drejta e Serbisë mbi Kosovën, e pretenduar edhe sot kur Kosova është shkëputur juridikisht dhe faktikisht nga Serbia, nuk ka lindur si rezultat i integrimit normal të këtij territori, si rezultat i një konsensusi të përgjithshëm popullor, apo i një vazhdimësie historike të ndërprerë padrejtësisht, por si rezultat i fitimit të këtij territori si plaçkë lufte dhe të sanksionuar ndërkombëtarisht nga një institucion, i cili, në thelbin e punës së vet asokohe, nuk kishte parimet e sotme bazë të demokracisë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare. Veprimtaria e shteteve ballkanike dhe e Fuqive të Mëdha në realizimin e këtij vendimi, u ndihmua nga gjendja në të cilën dilte shoqëria shqiptare e asaj kohe. Pushtimi pesëshekullor otoman kishte konservuar konservatorizmin mesjetar, ruralizimin e shoqërisë shqiptare, mbajtjen e sforcuar të çdo prirjeje për ringritje kulturore dhe qytetare të shoqërisë në tërësi. Fuqitë e Mëdha në këtë mënyrë, në vend që t’i hapnin poret jetësore një kombi në rrugën e tij për ripërtritje qytetare e kombëtare, e cunguan atë territorialisht, i këputën arteriet jetësore dhe ushqyen faktorët që bëjnë lehtësisht të manipulueshëm dhe të kontrollueshëm një popull të penguar historikisht në rrugën e tij të zhvillimit. Çështja e Shqipërisë u zgjidh pa respektin më të vogël ndaj shqiptarëve dhe kufiri i shtetit të ri shqiptar u përcaktua vetëm nën prizmin e shmangies së një ballafaqimi në mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë, për të cilin shqiptarët nuk ishin fajtorë dhe me të cilin ata nuk kishin të bënin fare. E gjendur e vetme, e papërkrahur seriozisht mund të themi as nga Gjermania, aleatja e saj më e ngushtë, nën presionin e të gjitha shteteve, Austro-Hungaria do të detyrohet të lëshojë për Serbinë me radhë, për llogari të mbajtjes së Shkodrës në Shqipëri, të të gjithë qyteteve etnikisht shqiptare në kufirin lindor. E gjithë kjo histori e dhimbshme lëshimesh të tokave dhe qyteteve të mirëfillta shqiptare bëhej në llogari të shmangies së një konflikti botëror.
